4 muaj protesta/”Dorëzohet” Vuçiç: Serbia në zgjedhje të parakohshme

 

 

Presidenti serb dhe njëherazi kryetar i Partisë Progresiste në pushtet, Aleksandar Vuçiç, është “dorëzuar” pas protestave masive të opozitës, duke deklaruar se është gati për zgjedhje të parakohshme, një vit përpara afatit kushtetues. Opozita serbe proteston prej disa muajsh dhe kërkon dorëheqjen e Vuçiç.

Javën e kaluar, në një intervistë me Reuters, Vuçiç tha se nuk kishte plane për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, por të hënë ai ndryshoi qëndrim. Zëri i Amerikës raporton se Vuçiç ka gjetur dakordësinë e partive aleate për të çuar vendin në zgjedhje në muajin qershor të këtij viti dhe për këtë ai ka nisur përgatitjet.

“Jemi më afër zgjedhjeve të parakohshme se më parë”, ka thënë Vuçiç. Por që të ketë një datë për zgjedhjet e parakohshme, sipas Kushtetutës serbe, duhet më parë që kryeministrja, e përzgjedhur nga Vuçiç, Ana Brnabiç, të japë dorëheqje, në mënyrë që presidenti t’i dekretojë. “Zgjedhjet do të jenë në qershor ose në pranverë të vitit të ardhshëm“, shtoi Vuçiç. Ndërsa theksoi: “Jam autorizuar nga presidenca për të hyrë në bisedime me partnerët tanë të koalicionit në lidhje me datën”.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi, u mbajtën në vitin 2016. Koalicioni i udhëhequr nga SNS (Partia Progresiste serbe) dhe partnerët e tij të kryesuar nga Partia Socialiste, gëzojnë një shumicë prej 160 deputetësh në parlamentin me 250 vende.

Sipas sondazheve të fundit, Vuçiç mund të sigurojë mbështetje prej rreth 44 përqind të elektoratit, ndërsa opozita lëkundet te 12%. Vuçiç erdhi për herë të parë në pushtet në vitin 2012.

Aleanca për Serbinë (SZS) një grupim prej më shumë se 30 partish opozitare, filloi protesta në dhjetor, duke akuzuar Vuçiç dhe aleatët e tij për korrupsion, dhunë dhe shtypjen e lirisë së medias. Në fillim të këtij muaji, protestuesit sulmuan zyrat e televizionit shtetëror të serbisë si dhe bllokuan ndërtesën e presidencës në qendër të Beogradit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Thaçi: Pse kërkoj korrigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë

    Nga Hashim Thaçi, President i Kosovës Unë jam i sigurt se...
Read More