100 filma: Rrëfimet në “Balkan mish-mash…”

Festivali-ne-Pogradec-8Festivali i filmit ballkanik hyn në edicionin e gjashtë, ku për një javë në Pogradec do të projektohen 100 filma. Me presidente nderi Margarita Xhepën, në këtë edicion në konkurrim do të jenë filma nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia etj. Çdo mbrëmje në kinemanë verore do shfaqen filma nga arkivi i Bekim Fehmiut, në nderim të 80-vjetorit të lindjes

Është një rast i rrallë të mblidhen bashkë plejada e aktorëve që luajtën para ’90-s e disa prej tyre  patën jetë aktive pa u shkëputur, si nga kinemaja dhe teatri, në këta 25 vjet. Në juglindje të vendit, regjisori Eno Milkani, me idenë e tij për një festival ballkanik, pra në Pogradec përveçse dedikimit të kësaj gare rikthehen në vëmendje figurat me të njohura të kinematografisë shqiptare, me të ftuar: Reshat Arbana, Mirush Kabashi, Robert Ndrenika, Pirro Milkani, Ndriçim Xhepa, Guljelm Radoja, Tinka Kurti, Dhimitër dhe Roza Anagnosti, Niko Kanxheri, Esat Musliu, Saimir Kumbaro, Xhevdet Feri etj.. Ky është edicioni i gjashtë i festivalit “Balkan Film & Food Festival”, Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë do të zhvillohet në Pogradec nga data 31 korrik-5 shtator. Në edicionin e këtij viti janë në konkurrim afër 100 filma nga të gjitha vendet e Ballkanit. Jashtë konkurrimit janë edhe 50 të tjera. “Presidente nderi e festivalit është Margarita Xhepa. Juria e festivalit është e përbërë nga pesë anëtarë, të gjithë autoritete në fushën e kinematografisë, dhe të gjithë joballkanikë. Këtyre iu takon verdikti i fundit i ndarjes së çmimeve”, tregon drejtori artistik Eno Milkani. Të ndarë në disa kategori, një vëmendje e madhe shkon dhe për filmin artistik me metrazh të gjatë, ku në konkurrim do të jenë filma nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia etj.

“Në këtë program të konkurrimit Shqipëria do të përfaqësohet me filmin me metrazh të gjatë “Gjaku i shprishur” me skenar dhe regji nga Besnik Bisha”, tregon regjisori Eno Milkani, drejtor artistik. Me organizatorë Eno Milkani dhe Gerta Qurku, gara e filmit do të jetë dhe për filmin e shkurtër dhe atë dokumentar. Për pesë vjet me radhë festivali është zhvilluar në javën e parë të shtatorit. Çdo natë në kinemanë verore pranë Galerisë së Arteve do të shfaqen filma me protagonist aktorin e shquar shqiptar Bekim Fehmiu në nderim të 80-vjetorit të tij të lindjes.

Në “Balkan mish-mash Film Production” në bashkëpunim me UNESCO, një grup kineastësh të rinj do punojnë në një projekt të veçantë, i cili ka për qëllim që, nëpërmjet video-dokumentarëve, të evidentojë vlerat ende pak të njohura turistike të zonës duke u fokusuar te Liqeni i Ohrit. Një koloni piktorësh, studentë të Akademisë së Arteve në Tiranë, nën drejtimin e prof. Vladimir Myrtezaj-Groshi do të punojë përgjatë një jave duke realizuar peizazhe nga Pogradeci. Këto punë do të ekspozohen në galerinë e qytetit natën e fundit. Një ekspozitë pikture nga autorët Anastas Kostandini dhe Arben Theodhosi do të jetë e hapur në galerinë e qytetit përgjatë gjithë ditëve të festivalit. Edicioni i parë i këtij festivali u zhvillua në Pogradec në shtator të 2011-s. Ai lindi si një dëshirë mes kolegësh në radhë të parë për të njohur krijimtarinë ballkanike në fushën e kinematografisë, një shkollë më vete në traditën e filmit botëror dhe atij europian, të stimulojë kontaktet mes kineastëve të Ballkanit, të cilët në kohët e sotme ndajnë afërsisht të njëjtën problematikë sociale dhe kulturore, si edhe të bëjë bashkë njerëz nga vende të ndryshme ballkanike, ndër të cilët trysnia e politikave të gabuara, fosileve nacionaliste të ngulitura, e kufijve absurdë dhe e injorancës ka penguar njohjen e ndërsjellë. Festivali gjithashtu, brenda mundësive të tij materiale dhe kohore, ka pasur si objektiv edhe nxitjen e marrëdhënieve ndërkulturore mes popujve që jetojnë në kufij të përbashkët dhe prezantimin në një shkallë sa më të madhe të mundshme të resurseve turistike të zonës Pogradec-Korçë, duke nxitur edhe aktivitete në fushën e zejtarisë tradicionale dhe kulinarisë krejt të veçantë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Diplomacia: 25 vjet “ngjarje shpirtërore” me Selinë e Shenjtë

Ambasada e Shqipërisë në Shtetin e Vatikanit, në përkujtim dhe në nderim...
Read More