10 vjet MAPO: Lindja e një medieje idealiste

Skender minxhozi Ben andoniIshte viti 2006 kur revista e përvajshme MAPO debutoi në tregun mediatik. Çfarë do të sillte të re në shtypin shqiptar? Cili ishte synimi i saj? Çfarë standardesh vendosi në shtypin periodik dhe çfarë trashëgimie u la brezave të rinj të gazetarëve? Kush ishin gazetarët që i dhanë jetë formës dhe përmbajtjes së revistës. Ja si e kujtojnë Skënder Minxhozi, Ben Andoni, Lorenc Vangjeli, Erl Murati, Ervin Qafmolla 10 vjet më pas 

Të gjithë ata që i kishin ende në kujtesë të vetmet vende ku mund t’i gjeje bashkë ata pak artikuj ushqimorë, tekstilë e industrialë që ofronte menyja e varfër e regjimit komunist e që jo rrallë të detyronin radhët e mëdha dhe dyndjet për të hyrë blerë në to, do të çuditeshin jo pak kur do dëgjonin gati pesëmbëdhjetë vite pas përmbysjes së sistemit rishfaqjen e emrit MAPO, veçse përmbajtja dhe forma nuk i ngjasonte edhe aq magazinave popullore të asaj kohe. Do të habiste edhe vetë kryeredaktorin e revistës së përjavshme, e cila sapo ishte themeluar dhe kishte mundur të nxirrte numrin e saj Zero. Dhjetë vjet më pas, kur logoja ka mbërritur në një përvjetor të rëndësishëm, Skënder Minxhozi, kryeredaktor prej numrit të parë të së përjavshmes, edhe pse nuk e mban mend ideja e kujt kish qenë ky titull, kujton se në dy javët e para i shkaktoi habi. “Titulli ishte provokues. Luante me konceptin dhe kujtesën e një pjese të publikut për atë që MAPO-ja ka qenë. Ishte provokacion për mua, fakti se i rezistoi kohës dhe fakti që projekti vazhdoi e u kthye në një gazetë kombëtare dhe një markë me shumë nënprodukte” –është i mendimit Minxhozi. Në vitin 2006, magazina popullore e themeluar nga një grup aktivistësh civilë si Erjon Veliaj, Endri Fuga dhe Arbi Mazniku do të shndërrohej në një magazinë idesh të një grupi gazetarësh me emër dhe me përvojë të tregut mediatik shqiptar si Skënder Minxhozi, Ben Andoni, Lorenc Vangjeli, Erl Murati, Ervin Qafmolla si edhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë. Një revistë gjithëpërfshirëse, javore, me letër cilësore e me ngjyra vinte si një eksperiment në një treg ku revistat ishin të karakterit të profilizuar.

Skënder Minxhozi: Një revistë javore është shumë e brishtë për t’i mbijetuar vulgaritetit të medias

Jo pa dilema dhe pesimizëm e pranoi drejtimin e saj. Të paktën kështu e kujton Skënder Minxhozi atë kohë, ku sapo ishte larguar nga Gazeta Shqiptare dhe kishte me vete, qysh prej 1993-shit kur e nisi karrierën si gazetar, vetëm përvojën e shtypit të përditshëm. “E përjavshmja më dukej si një gjini, e cila nuk kishte treg në Shqipëri. Për fatin tim të keq do të rezultonte, pas shumë vitesh, që kisha të drejtë. Sot nëse i bëjmë një fotografi së shkuarës, të paktën shtypit periodik, për mendimin tim ka dështuar” –shprehet ai.

Por edhe pse financiarisht MAPO ishte eksperiment jo fort i suksesshëm, Minxhozi e kujton si “një histori të bukur, e cila na bënte të shiheshim në sy çdo fund muaji e të pyesnim a do të dalë muajin tjetër e pastaj me të qeshur kujtonim se këtë frazë e thoshim prej disa vitesh”. E megjithatë realiteti i kaloi edhe pritshmëritë më optimiste. Megjithëse nuk ishte sukses financiar, edhe pse nuk konkurronte në treg në terma shitjesh revista MAPO në formatin e përjavshëm zgjati rreth pesë vite. “I tejkaloi të gjitha pritshmëritë, sepse edhe firmat që u mblodhën, vëmendja që krijoi nga disa persona –gazetarë , kolegë të vjetër që realisht dua t’i falënderoj për punën që kanë bërë –krijoi një ishull të vogël, si të thuash, një media ku mediat e përditshme, nga e hëna e tutje (ne dilnim në treg ditën e shtunë) e bënin fije-fije dhe shfarosnin të gjithë lëndën që kishim botuar, pasi e merrnin dhe e ribotonin. Kjo natyrisht nuk na shqetësonte, sepse nuk ishim në lojë tregu dhe nuk konkurronim me ta. Ne më shumë donim përhapjen e shkrimeve tona dhe impaktin mediatik se sa të shihnim kopjet e shitura”. MAPO-ja u kthye shumë shpejt një media referencë me artikuj që do të bënin bujë e jehonë gjatë në opinionin publik shqiptar. “Duke thënë që nuk ishte një formulë e suksesshme ekonomike, e them pa modesti që ka qenë një formulë e suksesshme profesionale, gazetareske. MAPO-ja afirmoi edhe njëherë idenë se shtypi, nëse ka dëshirë e nëse ka edhe njerëz që duan të ushtrojnë profesionin mund të sfidojë edhe situata ekonomike, të cilat në letër duken të pakapërcyeshme” – thotë Minxhozi. MAPO-ja ka të fotografuar Shqipërinë e pas viteve 2005, me disa prej ngjarjeve tronditëse, të lidhura kryesisht me tensionin politik të asaj kohe, me transformimet ekonomike, me vështirësitë, me disa incidente… “të cilat në atë kohë quheshin zyrtarisht edhe teknologjike; Gërdeci, zgjedhjet e 2009-ës, konflikti i ashpër mes Pozitës dhe Opozitës, situatat me rritjen fillimisht ekonomike galopante e më vonë me shfaqjen e krizës ekonomike në fund të dekadës së shkuar…Pra disa situata të cilat revista është përpjekur t’i pasqyrojë” –sqaron kryeredaktori i parë. “Përpiqeshim të vinim sa më shumë frame bashkë për të lexuar fenomenin dhe dukurinë. Zhanre të tilla si intervista, reportazhet, reportazhet fotografike, dosjet e shumta … të jepnin mundësinë që të kishe një produkt me skadim pak më të gjatë se lajmi i ditës, një ushqim që jetonte disa ditë. Ishim për një ushqim jo fastfood, por slowfood. Kjo për ne nuk ishte një sfidë e vështirë, por në Shqipëri duan më shumë fastfood-in se sa ushqimin e avashtë…” – pranon Minxhozi. E pozicionuar si media opozitare me qeverisjen, Skënder Minxhozi pranon që MAPO-ja ka hasur edhe në presione. “Shtypi është gjithnjë nën presion. MAPO-ja nuk lindi në një ambient laboratorik pa baktere e viruse. Lindi në shtratin tradicional të medias shqiptare dhe i mori këto viruse e baktere. Ishte një media opozitare me qeverisjen e kohës. Kur bën opozitë, natyrisht presioni i parë është që të heqin reklamat. Pra mbijetesa ekonomike ka qenë rezultantja e parë dhe më e madhe e presionit. Pastaj ishin bindjet tona…”–pohon Minxhozi. Pas 2010–ës, MAPO-ja pësoi një shkrirje të natyrshme me projektin e ri të Henri Çilit, i cili në atë kohë pati dilemën të niste një markë të re në shtyp apo të merrte një markë që tashmë e kishte bërë një copë rrugë dhe kishte një afirmim të caktuar në tregun mediatik. Kështu MAPO-ja kaloi krejtësisht në formatin e gazetës së përditshme, ndërsa Minxhozi, Andoni dhe Vangjeli nisën një tjetër projekt; një revistë të përjavshme të pagëzuar me emrin JAVA. Natyrisht kohët kishin ndryshuar dhe projekti i dytë gjente një treg edhe më të lodhur ndaj shtypit periodik, sepse ndërkohë kishin nisur të hynin fort në lojë mediat online dhe portalet kishin nisur të shfaqeshin. Përballë zbehjes së maksimës scripta manent, duket se është pjesa e saj e dytë verba volant, në formën e lajmit të shpejtë, ajo që duket se po fiton terren në panoramën aktuale të medias. “Media online, për mua, është varrmihësi i të gjithë medias tradicionale dhe këtu nuk futen vetëm revistat. Ato janë më të parat dhe më të dobëtat. Janë dy qasje krejt të kundërta në lidhje me lajmin dhe u flasin dy publikëve të ndryshëm. Media online ka bërë atë që quhet demokratizimi i tregut të medias, duke futur në këtë treg edhe njerëz që nuk kanë pasur kurrë asnjë lidhje me median. Mënyra sesi aksesohet dhe shpejtësia në komunikimin e lajmeve e bën tejet agresive dhe të rrezikshme për gjithë pjesën tjetër të medias. Një shtyp si një revistë javore është aq e bukur dhe e brishtë saqë kam frikë që në vulgaritetin dhe komercializmin e medias së sotme nuk mbijeton dot” –është i mendimit Minxhozi. Megjithatë në aventurën e MAPO-s me pasigurinë e jetëgjatësisë së saj, Minxhozi shprehet i lumtur që projekti e vazhdoi rrugën.

“Ne stafit të parë që e konceptuam, na bën të ndihemi mirë dhe duhet t’i themi një Faleminderit botuesit të ri, që e mori dhe vërtet i detyrohemi thjesht miqësisht, sepse MAPO me aq sa krijoi do të kishte lënë një kujtim te një pjesë e publikut, por impakti nuk do të kishte qenë ky, nëse nuk do të kishim një gazetë që del me ketë emër çdo ditë. Mbijetesa e emrit MAPO në treg na bën të ndihemi mirë. Më vjen mirë që kemi një markë MAPO që e shohim përditë dhe që pati një fillesë 10 vjet më parë” –përfundon ai.

Ben Andoni: MAPO-ja një TIME alla shqiptar

Edhe pas dhjetë vitesh e sjell lehtë ndërmend artikullin që ka shkruar në numrin e parë të revistës së përjavshme MAPO. Ishte artikulli, që i kushtohej gjetjes së maskës mortore të Enver Hoxhës në Muzeun Kombëtar. Deri më atëherë, ky fakt ishte krejt i panjohur. Por, nuk ishte thjesht gjetja e saj se sa shtjellimi i një paradoksi sipas të cilit, maska e vdekjes nuk ishte bërë thjesht të përjetësonte tiparet e Hoxhës për artistët, por edhe një mënyrë, që ai të vinte në një paqe me Zotin, që e kishte mohuar aq shumë e në mënyrë të prerë sa ishte gjallë. “Veç kësaj kam përgatitur edhe një dossier” –e kujton Ben Andoni, zv/kryeredaktori i revistës MAPO, e cila numrin e parë të saj e nxori të botuar më 14 tetor të vitit 2006.

Themelimin e kujton pak me frikë, por edhe si një sfidë e re që e ftonte të përfshihej. “Asokohe, drejtoja një të përjavshme politike, e cila po bënte udhën e vet në shtypin shqiptar. Në një farë mënyre po më zbehej dëshira për të, që kur pronarët e saj e ulën çmimin e gazetës në shifra, që s’përkonin fare me koston. Grupi i fillimit të “MAPO”-s ishte i mrekullueshëm dhe mes nesh kishte shumë ambicie, por edhe përcilleshin risi, propozoheshin rubrika dhe nga ana tjetër, të gjithë ishin shumë të dhënë për një layout modern. Shpejt, të gjitha këto u bashkuan dhe përbënin një motivim jo të pakët” – kujton Andoni. Krahas një vendi të ri pune, një zëri të ri mediatik ishte miqësia dhe interesat e përbashkët që i mblodhën bashkë. “Por, edhe nevoja për të bërë një media moderne, si edhe imperativi, që atëkohë flitej shpesh, një media që t’i përgjigjej realisht nevojave bazike dhe shqetësimeve të përditshme të publikut shqiptar. Ideja e fillimit ishte që të punohej me tema, të cilat kishin jetëgjatësi leximi. Unë, personalisht, i përmbahesha modelit anglo-sakson dhe u përpoqa shumë që kjo logjikë të kishte vend. Pra, që të kishim një temë javore kryesore dhe disa gazetarë sipas rubrikave që përfaqësonin, ta përcillnin. Pra, të kishte logjikë politike, sociale, ekonomike dhe më shumë akoma. Me kalimin e kohës, për arsye se temat nganjëherë nuk prisnin kaq shumë, filluam të punonim të veçuar në tema specifike” – shprehet Andoni, ndërsa fytyra e MAPO-s, thotë ai “do të ishte ajo, e cila përkonte me një individ, i cili do të kishte edhe imazhin e tij në kopertinë”. Ishte një lloj “Time” alla-shqiptar. Madje, nga këtu buronte edhe ideja për temën. Disa nga rubrikat, që kishim menduar, madje e sillte këtë ide edhe më afër. Layout-i i fillimit ka qenë shumë impresionues. Punuam shumë me grafikën dhe futëm në rubrikat rezidente edhe fumetin”. Nëse kishte diçka që mungonte në shtypin shqiptar – kryesisht e dominuar nga të përditshmet- ishte thellësia e temave apo përfshirja e profesionistëve të ndryshëm përgjegjës për fusha të caktuara. Parashikimin e ngjarjeve përmes feature, por edhe rubrika që ndiheshin të braktisura… “Për çdo javë kishim një rubrikë interesante të karakterit historik, që drejtohej nga Artan Lame, Fumetin, rubrikën ekonomike, politikën me intervista dhe feature të karaktereve kryesore të vendit dhe të huaj, rubrika interesante kushtuar integrimit (është mbajtur nga Pittella), reportazhin, dossier-in etj.” –kujton Andoni. Media e re u prit mirë në mes të titujve disi më të konsoliduar të tregut mediatik, ndihmë për të cilën dhanë edhe reklamat televizive, banerat apo edhe billboard-et që shfaqnin paraqitjen e saj grafike…

Andoni ishte nga të parët që iu bashkua këtij projekti dhe qëndroi deri në fund të ciklit të saj si e përjavshme. “Eksperienca ka qenë shumë e bukur, pasi personalisht kam bërë për çdo javë nga një reportazh, përveç shumë temave të ndryshme. Profesionalisht më ka ndihmuar sepse rrahja e debateve dhe vështirësia e përballjes me tema të ndryshme e ndihmojnë profesionalisht një gazetar”. Pas dhjetë vitesh ai ende punon në një media të shkruar periodike, edhe pse tregu bëhet gjithnjë e më i vështirëDuke iu kthyer edhe njëherë kujtesës, thotë me bindje se MAPO –ja pati shkrime dhe tema shumë interesante që do t’i shërbejnë historisë së medias së shkruar të viteve të demokracisë. “Ndërkohë që më vjen mirë për faktin se MAPO është rivitalizuar dhe po bën rrugën e vet gati në të njëjtën ide”.

Lorenc Vangjeli: Në punishten artizanale të gazetarisë

Megjithëse stafit iu bashkua pak kohë më vonë prej themelimit, ai ishte mik i kësaj reviste të re qysh në momentet e para kur ajo mori jetë. Ajo çka e bëri t’i bashkohej këtij stafi pas largimit 8 –vjeçar dhe rikthimit në shtypin e përditshëm ishte përqafimi i të njëjtës filozofi dhe miqësi me dy prej shtyllave të MAPO-s; Minxhozi dhe Andoni, si edhe botuesit e saj. “Edhe sot, kur rri e mendoj nuk para gjej gjë që na ndante; secili në lirinë e tij vetjake, secili tërësisht i ndryshëm nga tjetri, por duke ofruar secili diçka që solli një krijesë të përbashkët, e cila sot, nga largësia e dhjetë vjetëve, më ngjan se ishte e çuditshme. Njëlloj si dashuritë e vjetra që rikthehen në kohë… Ishte një produkt jashtëzakonisht i veçantë në median shqiptare, një produkt i cili nuk them bëri histori, por që tashmë është pjesë e mirë e historisë së medias shqiptare. Kishte shumë moral, kishte shumë idealizëm dhe kishte shumëçka nga ato që sot shohim se mungojnë”, kujton Lorenc Vangjeli, i cili është kthyer edhe njëherë në zyra shtetërore, por pa u shkëputur nga media.

Është i bindur se gjithçka vjen me lirinë. Liri që nuk e kishte humbur kur vjen fjala te të shkruarit. “Me MAPO-n ndodhi transferimi nga një fabrikë siç është media e përditshme, me një prodhim të automatizuar e pa shpirt, në një punishte artizane ku ka vetëm punë njeriu. E dyta është më e vështirë, më e lodhshme, por produkti është zakonisht unik. Së paku shpresoj të ketë qenë i tillë”.

Temat për të cilat u angazhua të shkruante kishin të bënin me politikë në komente dhe editoriale, si edhe investigimet. “Në ka një gjë që mund ta them sot edhe me krenari, por dhe me habi, ka pasur shumë e shumë raste, si rregull dhe jo si përjashtim, që shkrimet e revistës MAPO në atë periudhë ribotoheshin nga mediat e përditshme përgjatë gjithë javës pasardhëse. Ishin tema nga më të ndryshmet, sidomos investigimet mbi tragjedinë e Gërdecit, për deformimet në rezultatin e zgjedhjeve e të tjera, të botuara ditën e shtunë në revistë, të cilat të nesërmen bëheshin tituj të faqeve të para në të gjitha gazetat e vendit. Ishte një gjë që sot e kësaj dite më duket e çuditshme” –kujton Vangjeli duke shtuar se MAPO-ja ishte vogël, por kishte një zë të fuqishëm në krijimin e opinionit. Edhe pse shpesh MAPO është cituar si Network-u i “së keqes” nga kryepersonazhi i saj, ish-kryeministri Berisha, Vangjeli thotë se personalisht gjatë kohës kur ka punuar në të përjavshmen MAPO nuk e ka ndjerë kurrë presionin politik dhe editorial. “Kush thotë të kundërtën, ndoshta është në të drejtë të tij, por më ngjan se e ekzagjeron. Koha e heronjve të sotëm në media më ngjan se është shpikje e atyre që duan të marrin poza heroi nga media dhe në media. Besoj se në ekipin e MAPO-s nuk ka pasur kurrë as një formë presioni a shantazhi, absolutisht asgjë të tillë që të vinte nga politika a botuesit.” –pohon ai. I vetmi presion real ishte ai financiar. Çdo numër që botohej revista, dukej sikur ishte numri i fundit. “Kishte një rrokullisje të pafundme, por fundi i humnerës nuk arriti kurrë. Ndoshta sepse e keqja është si universi dhe shpresa njerëzore: e pafundme! E quan ndër më të jashtëzakonshmet në përvojat e tij në media kohën me MAPO-n. Botuesit dhe këtu janë disa emra, nga Erion Veliaj, Endri Fuga apo Henri Çili, së bashku me të jashtëzakonshmin dhe të sakrifikuarin e madh, Agim Shënediella, kurrë nuk mësuan se cila do të ishte faqja e parë e revistës, përveç ditës kur ajo dilte në treg. Dhe kjo liri ishte një nga çelësat e suksesit të MAPO-s.

Revista MAPO , kujton Vangjeli mes të tjerash, ka bërë një investigim mbi rastin klasik të Ruzhdies; një fshat që papritur u bë i njohur në Shqipëri sepse ishte gjithçka që kishte të bënte me mashtrimin elektoral ishte projektuar aty. “Mund të jetë krenari e MAPO-s sot sepse ajo çështje përfundoi në gjykatë dhe pati një certifikim ligjor i gjithë veprimi i paligjshëm që ndodhi”.  Tashmë sheh me keqardhje denatyrimn e  medias. “ Sot shoh denatyrimin e medias, që nuk e sheh veten si pushtet të katërt, por kërkon të marrë dhe të ndajë pushtet nga ai që nuk i takon. Duke shtuar faktin se koha po rend drejt tjetër gjëje, sipërfaqes, lustrës, fastgazetarisë. Asnjëherë nuk do të mungojë gazetaria e vërtetë”. Dhe nga kjo gazetari, që u desh të krijohej nga zeroja pas përmbysjes së sistemeve, brezat e rinj kanë çfarë mësojnë. “Shakaja që bëjmë me gazetarë të hershëm, është se jemi dinozaurë dhe do të zhdukemi si dinozaurët. Por dhe ata nuk kanë ikur aq lehtë sa duket. Kini parasysh se zakonisht historia është shumë më e gjatë se sa një hapje e mbyllje sysh e mund të jetë ndonjëherë edhe më e shkurtër sa kaq. Gjithçka varet nga këndvështrimi. Brezat e rinj që kanë ardhur në gazetari kanë ç’të mësojnë nga kjo pak traditë, që nuk është thjesht dhe vetëm e keqe siç mund të thuhet nxitimthi. Ata janë ndryshe nga brezi i gazetarëve që erdhi në media pas përmbysjes së sistemit. Atyre iu desh të mësonin profesionin dhe notin jo në ujë, por në baltë, pasi tradita e dikurshme ishte e infektuar thellë nga regjimi i dikurshëm dhe vlente vetëm si shembull se si nuk duhej bërë gazetari. Ndaj kjo ishte edhe arsyeja që brezi i parë i gazetarëve ishin djem të rinj, të njohur dhe miq me njëri-tjetrin. I njëjti brez, të gjithë të së njëjtës moshë që e nisën gjithçka nga zeroja. Dhe kjo kishte të bënte me mbijetesën”. Në këta terma, edhe MAPO-ja e ka lënë gjurmën e saj në traditën e re të medias shqiptare.

Ervin Qafmolla: Të bësh rock’n’roll në media

“Deshëm të bënim diçka më rock’n’roll se ajo që ekzistonte dhe të sillnim kënde origjinale dhe të vërteta në tregun e letrave me vlerë ose pa…”, Kështu e kujton Ervin Qafmolla motivin se çfarë i bëri bashkë nismëtarët e MAPO-s. Për idenë e projektit dëgjoi nga gazetari Sokol Shameti.

“U ndesha me të para Kryesisë së Kuvendit dhe më tha idenë e revistës së re. Më pëlqeu dhe u bëra pjesë e skuadrës. Sokoli shkoi para botimit të numrit të parë të revistës dhe eventualisht ajo doli në treg me Skënder Minxhozin si drejtor/kryeredaktor”, vijon Qafmolla që asokohe ishte redaktor përgjegjës për Ekonominë. Ai kujton edhe diskutimin e parë që patën nëse duhet apo jo ta çelnin revistën me artikullin mbi maskën e vdekjes së Enver Hoxhës, shkruar nga Ben Andoni që sillte një panoramë disi makabre…

Fytyra që ai grup gazetarësh të angazhuar kishin imagjinuar për MAPO-n, sipas Qafmollës ishte ajo e gazetarisë guximtare, të mbështetur me fakte, të shkruar bukur dhe që përçon standarde urbane. “Përtej disa fitoreve të vogla specifike, se sa ia kemi arritur gjithë kësaj, këtë nuk mund ta vlerësoj vetë…Nuk po pretendoj se MAPO u bë ‘fener ndriçues në brigjet e Adriatikut’, se kemi pasur kufizimet tona të natyrës profesionale, njerëzore, infrastrukturore apo konjukturale. Por mund ta them me plot gojën se ishte një farë triumfi mbi shijen e keqe”. Nuk ishte thjesht një media e re për të përfshirët brenda saj, por një përpjekje për të bërë ndryshim. “Gazetaria objektive është diçka që të gjithë pretendojmë se e bëjmë dhe në thelb shumëkush e aspiron. Po flasim për kushte normale pune, jo kur titujt vijnë të gatshëm me SMS nga paradhomat e qeveritarëve. Në këtë kuptim, ne u munduam të bënim një ndryshim. Por ajo që ishte më e veçantë kishte të bënte me faktin se u bëmë një grup njerëzish me vlera të krahasueshme dhe shije të përbashkëta. Fillimi është gjithmonë interesant, por duke qenë se prireshim të trajtonim lajmet me seriozitet dhe veten me më pak seriozitet, argëtimi dhe vajtja në punë me qejf vazhdoi shumë gjatë” – sjell ndër mend, Qafmolla. Profesionalizmi brenda redaksisë shkonte deri në detajet më të imëta, kujton Qafmolla. Për të, përvoja në MAPO ishte një eksperiment, duke i lënë kështu edhe mundësinë e eksplorimit në kënde të reja. “Ishte një eksperiment i pandalshëm me formën por pa cenuar për keq thelbin e përmbajtjes”. Sot pas dhjetë vitesh ku situata e medias së shkruar nuk është fort e favorshme kundrejt atyre online, Qafmolla thotë se kjo betejë nuk ka fitues. “ Potenciali është kurdoherë aty, ashtu si dhe sfidat. Është një betejë e pandalshme që askush nuk e ka fituar e as ka për ta fituar. Asnjëra palë nuk ka për të fituar. Është në dorën tonë, të kolegëve të tjerë që të mbajnë vijën e frontit e ta shtyjnë përpara sa të munden”.

Erl Murati: Magazina ku nuk mungonte asgjë

Megjithëse aventura e tij në të përjavshmen MAPO ishte e shkurtër, Erl Murati ka qenë pjesë e saj qysh kur ende bluhej ideja dhe ende nuk kishte nisur puna me numrat zero dhe mban mend fare mirë edhe reagimin që pat kur i njoftuan sesi do e pagëzonin medien e re.

“Mapo” ishte një sipërmarrje e drejtuesve të organizatës MJAFT. Ishte një revistë e profilizuar majtas, jo thjesht si oponencë me qeverinë pasi kjo është ‘detyrë’ e çdo medieje. Mbaj mend që njëri prej drejtuesve të MJAFT-it më pyeti në atë kohë se si më dukej titulli “Magazina Popullore – MAPO” për revistën tonë. Unë mblodha buzët, mbetem alergjik ndaj çdo lloj evokimi apo simbolizmi të kohës së Qoftëlargut. Megjithatë, revista u pagëzua “MAPO”- sjell ndërmend ai. Ato ditë ndërsa përgatitej terreni për daljen në treg të revistës, redaksia e vogël ishte e gjitha me një dëshirë; të sillnin në treg diçka ndryshe, cilësore, të lexueshme dhe jo të shfletueshme. Të gjithë kujton Murati u përpoqën të vendosnin një standard të ri, larg gazetarisë së thashethemeve, mjaft në modë asokohe, modë që vazhdon e ndiqet edhe sot. “U përpoqëm të rrisnim standardin profesional: u përpoqëm të botonim shkrime 100% të lexueshme, të cilave mund t’u shkoje deri në fund, të kopsitura me argumente dhe jo fjalë kafenesh, të stilizuara dhe jo klishe. Temat ishin të gjithfarëllojshme: nga politika, diplomacia e deri te kultura, arti dhe tendencat e fundit të teknologjisë. Në këtë pikë, mund të themi që ishte një magazinë popullore, ku ndryshe nga MAPO-t e Qoftëlargut, nuk mungonte asgjë”. Në 17 vitet e karrierës së tij në gazetari ai pohon të metat e medias shqiptare duke theksuar simptoma si propaganda, pandershmëria dhe përulja ndaj presionit. “Nuk po them që këto simptoma kanë infektuar të gjitha mediat në çdo kohë, thjesht po përpiqem të gjej defektet e medias shqiptare. Më duhet të jem i ndershëm: MAPO ishte një media e ndershme. Askush nuk të detyronte të shkruaje diçka pa dëshirën tënde”. Sa i përket trysnive të jashtme që mund të hasnin, Murati thotë se ajo vinte veçse si një bllokadë informacioni nga pushteti. “Mbaj mend, një herë kam qëndruar dy orë në kafe me Sokol Olldashin për ta bindur të më jepte një intervistë. Pas dy orësh, më tha: “Ty ta jap kur të duash, por jo asaj reviste”. Të njëjtën shprehje, më tha pak vite më vonë Edi Rama kur i kërkova një intervistë: “Ty ta jap kur të duash, por jo asaj gazete”. Është interesante se si e perceptojnë median politikanët shqiptarë të të gjithë krahëve”. Pas përvojës thuajse njëvjeçare ai do të largohej. “Nuk pendohem për atë eksperiencë, por më duhet të them se puna në revistë javore ishte disi e parakohshme për mua për shkak të ritmit të ulët të punës. Andaj, nuk u mendova dy herë kur mora një ofertë për t’u rikthyer në “Gazetën Shqiptare”. Me gjithë nostalgjinë që sjell media e shtypur, Murati pohon jo pa keqardhje se shpejt do të kthehet në relike. “Unë ia kam kushtuar jetën profesionale shtypit dhe më dhemb që e them. Që shtypi të mbijetojë, do të duhet e njëjta përpjekje si ajo për të bindur një njeri të braktisë ndriçimin me energji dhe të rikthehet te pisha. Në thelb s’ka ndryshuar asgjë; që të jesh i suksesshëm nevojiten shkrues të mirë, njësoj si në gazetën print, ashtu edhe në atë online. Por, gjithçka fillon dhe mbaron te liria. Nëse një radio, një gazetë, një revistë apo në TV është e lirë, e ka shumë më të lehtë të konkurrojë në një treg që bëhet gjithnjë e më i egër”.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Greqia rikthyen pensionet për minoritarët, 360 euro çdo muaj

Greqia ka rifilluar të ndaj të ashtuquajturat pensione të minoritetit duke dhënë...
Read More